Për hir të të huajve
Dorianne Laux
Pavarësisht nga pikëllimi, pesha e tij,
Ne jemi të detyruar ta mbajmë.
Ngrihemi dhe mbledhim forcat, fuqinë e plogësht
që na shtyn përmes turmave.
Dhe pastaj një djalosh më jep udhëzime
me aq zell. Një grua mban derën prej xhami hapur,
duke pritur me durim që trupi im i zbrazët të kalojë.
Gjithë dita vazhdon kështu, çdo mirësi
arrin tjetrën — një i huaj
që këndon për askënd teksa kaloj aty pari, pemë
që ofrojnë lulet e tyre, një fëmijë
që ngre sytë e tij si bajame dhe buzëqesh.
Disi më gjejnë gjithmonë, duket madje
sikur presin, të vendosur të më ruajnë
nga vetvetja, nga ajo gjëja që më thërret
ashtu si duhet ti ketë thirur dhe ata —
ky tundim për tu hedhur
dhe për të rënë e papeshë, larg prej botës.
Përktheu:© Mirela Petalli

